Rovena Dilo: Per dashurine nuk mjafton nje dite ne kalendar
Këngëtarja e mirënjohur flet për ndjenjat, në një intervistë kryekëput për dashurinë. Si e gjen ky Shën Valentin Rovena Dilon, dhe projektet muzikore për dy këngë të reja.
Shigjeta e Kupidit ka qëlluar në shenjë edhe për të! Ndonëse kundër rrymës dhe me përqasje tërësisht jo konvencionale, për këngëtaren e njohur të skenës shqiptare duket se vetëm një ditë në kalendar nuk mjafton për të shprehur dashurinë. Dhe në këtë pikë e ka fjalën për festën e Shën Valentinit, e cila është në prag. Atmosfera e zhurmshme, me gjallëri njerëzish nëpër rrugët e kryeqytetit, mbushur me ngjyra e trëndafila të kuq, “infekton” çdokënd, përfshi edhe vetë Rovena Dilon. Me gjithë dëshirën për të mos i kthyer ndjenjat në kryefjalën e ditës së 14 shkurtit, e cila nuk do të mjaftonte për t’u ndier e plotësuar shpirtërisht, këngëtarja preferon të tjera forma të të festuarit, jo shumë larg klisheve, por që e plotësojnë, sidomos kur pranë ka njerëzit e duhur. Me bashkëshortin e saj, Florin, kanë menduar një alternativë më praktike, të festojnë me miqtë e afërt, ndërsa ndjenjat që mëshirojnë plotësimin shpirtëror dhe atë fizik ngjan se i rezervojnë vetëm për njëri-tjetrin. Këtë herë, Rovena ka preferuar të flasë mirëfilli për to, sipas mënyrës së saj, diku e rezervuar në detaje të jetës private, e herë të tjera e mbushur me dëshirë për të rrëfyer për dashurinë, që prej vitesh po përjeton me ish-futbollistin e njohur, Florian Riza.

