Gjirokastër, kapen 190 kg hashash

Policia e Gjirokastrës arrestoi shtetasin Rigels Daci 25 vjeç, banues në Gjirokastër duke transportuar 190 kilogram hashash në drejtim të qytetit të Vlorës.

Operacioni i koduar me emrin “Zinxhiri” nisi në orët e para të mëngjesit të së premtes pas një informacioni se 25-vjeçari kishte blerë në Lazarat drogën dhe do e transportonte drejt qytetit të Vlorës me destinacion përfundimtar Italinë.

Policia nisi ndjekjen dhe e kapi mjetin në aksin rrugor Kardhocë-Gjirokastër. Drejtuesi i automjetit kur ka parë se po e ndiqte policia ka shtuar shpejtësinë dhe ka devijuar nga rruga nacionale dhe është futur në rrugë dytësore në lagjen Zinxhira të qytetit Gjirokastër, ku ka braktisur mjetin, duke tentuar të largohet me vrap, por është arrestuar në flagrancë nga Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve.

Në bagazhin e automjetit  dhe në vendin e sediljes së pasme të cilën e kishte hequr, u gjetën 7 pako të mëdha në formë katrore të fashuara me natriban transparent, ku brenda çdo pakoje të madhe kishte nga 24 pako te vogla  me peshë rreth dy kilogramë secila, gjithsej 98 pako, me peshë totale 190 kilogramë marijuanë.  Ndërkohë në kuadër të operacionit kombëtar të asgjësimit të lëndëve narkotike dhe ndalimit të kultivimit të tyre, në Komunën Vllahinë, Policia e Vlorës ka asgjësuar 200 rrënjë kanabis, ndërsa disa ditë më parë, në një operacion të ngjashëm në Krujë, uniformat blu asgjësuan rreth 4 mijë rrënjë të po së njëjtës bimë narkotike.

/ Top Channel
Copyright © 2012 DALLAVERE 25