Valbona Mema:Jam kengetarja me e paguar ne dasmat shqiptare

Por Valbona është e vetëdijshme për diçka: që muzika tallava që po
këndohet rëndom në festa, po prish tabanin e muzikës popullore. Një
pjesë e madhe e njerëzve, përfshirë të rinjtë, kohët e fundit janë duke u
dhënë shumë pas kësaj muzike, dhe kjo nuk i pëlqen këngëtares së
njohur.
Sipas Valbonës, është prekur tabani i këngës popullore sot?
Jam dakord me ta. Po, është prekur shumë.
Pse është prekur?
Tabani është prekur sepse në shumë evente po mbizotëron tallavaja.
Në shumë vende, ku mund të dëgjohej muzika popullore, tani dëgjohet
tallava. Kjo është për të ardhur keq, të flasim drejt.
Po a ka aktivitete të tjera ku artisti i këngës popullore mund të marrë pjesë dhe mund të promovohet ashtu siç duhet?
Them se po. Artisti i vërtetë i këngës popullore ka disa variante:
duke bërë këngë të vetat dhe videoklipe dhe duke testuar veten në tregun
e kësaj muzike, ose mund ta shfaqë veten në evente të ndryshme, ka
organizime serioze ku kërkohet pjesëmarrje serioze dhe nivel i lartë i
interpretimit të muzikës popullore.
“Një ditë pa dasma në verë?
Drekë me fëmijët dhe shëtitje me Roky-n”
Valbona ka shumë vite që i përkushtohet këngës popullore të
Shqipërisë së Mesme. “Do të vazhdoj të kontribuoj në muzikën e
mirëfilltë të Shqipërisë së Mesme”, – thotë ajo, duke e bërë të qartë që
mesa duket në këtë zhanër e ka gjetur plotësisht veten. Në pjesën e
dytë të intervistës për Sh.F, Valbona flet pak për veten dhe atë çfarë
po bën këtë verë të nxehtë të 2012-s.
Një ditë “pa dasma” e Valbonës, si është?
Një ditë e imja pa dasma gjatë verës… Pasi çohem nga gjumi, dal në
mëngjes dhe pi një kafe e shoqëruar nga qeni im Roky. Me Roky-n bëjmë
një shëtitje për t’u qetësuar. Kur jam e lirë, dal edhe me fëmijët për
drekë. Koha për të qëndruar sa më tepër me fëmijët duhet gjetur patjetër
pavarësisht angazhimeve në çdo fushë që të jenë. Unë përpiqem ta gjej
gjithmonë kohën për dy fëmijët e mi.
Kalon Valbona shumë kohë para pasqyrës?
Kujdesi për veten është gjëja që e dua më shumë. Nuk më pëlqen
pasqyra se nuk kam shumë kohë, por sido që të jetë kujdesem shumë.
Veshjen, në mënyrë të veçantë, e zgjedh gjithmonë me kujdes.
Valbona, ke dashur gjithmonë të jesh këngëtare e muzikës së
Shqipërisë së Mesme, apo ishte një “zbulim” gjatë rrugës së karrierës?
Rrugën për këngën e kam nisur shumë e vogël sepse kam pasur shumë
dëshirë të bëhem këngëtare, pak a shumë kjo që jam sot (qesh). Që e
vogël kam qenë shumë aktive, nuk humbisja asnjë rast për të qenë nëpër
eventet që bëheshin. Kam marrë pjesë në spektakle televizive dhe në plot
ngjarje të tjera. Për pyetjen tuaj, mund të shtoj se unë fillimet e mia
i kam pasur me muzikën e lehtë shqiptare. Më pas i jam përkushtuar
plotësisht muzikës popullore.
A ka këngëtarë të mirë popullorë sot, si mendon?
Sigurisht. Nuk dua të përmend emra, por mund të them që ka shumë këngëtarë të mirë të muzikës popullore.
Mos ka ca si tepër?
Absolutisht jo…Gjithkush ka vendin dhe fansat e vet.
Pushimet e verës?
Pushimet i mia gjithmonë i bëj në fillim të shtatorit që jam pak më
e lirë. Në këtë kohë numri i dasmave dhe i angazhimeve vjen duke u
ulur. Por, pushimet janë gjithmonë surprizë.
Ku do t’ju shohin fansat tuaj pas verës, veç dasmave?
Ky projekt që jam duke punuar është surprizë në zgjedhje dhe në stil. /ikub/